Foto/ Të rinjtë bëhen bashkë, mesazhe të forta në lagjet e kryeqytetit

633

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – Të rinjtë e shkollave të mesme në kryeqytet janë bërë bashkë për të dhënë mesazhe të forta kundrejt fenomenit të dhunës në familje, por jo vetëm.

Prej disa kohësh, ata po punojnë në lagje të ndryshme të Tiranës përmes grafiteve të ndryshme në muret e pallateve, me mesazhe jete, si një formë “rebelimi” kundrejt një kulture të vjetër patriarkale. Ata kanë zgjedhur “art street” për të ndarë botën e tyre të bukur dhe të mbushur me ëndrra të mëdha për jetën.

Disa nga mesazhet që mund të shihni në lagje të ndryshme të kryeqytetit: Më do, s’më do, nëse më do, mos më dhuno”, “Nuk jemi asnjëherë të vegjël për ëndrra të mëdha”, “S’lejohet dhuna te kjo zona se lagja jonë është nona”, janë disa nga mesazhet e të rinjve.

Shkollat e mesme të Tiranës dhe ato 9-vjeçare kanë programe të posaçme për trajnimin e tyre kundër stereotipeve, kundër kulturës së dhunimit me bazë gjinore, duke dalë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Këta nxënës janë pjesë e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”.

z.tosku /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.