FOTO/ Kulla e Sahatit, hapet për turistët pas restaurimit

TIRANË,8 qershor /ATSH/ – Hapet për qytetarët, pas restaurimit Kulla e Sahatit në Tiranë dhe muzeu i brendshëm i saj.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë, Nikolin Jaka, si dhe njerëz të artit e biznesit.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi në fjalën e saj se ‘monumenti, përveç vlerave historike është edhe dëshmi e trashëgimisë kulturore dhe se është e lumtur që kur flitet për trashëgiminë kulturore nuk flitet më për shkatërrime”.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi simbolin e kryeqytetit si një vlerë historike. “Disa gjëra janë të përkohshme, si debatet e konfliktet, megjithatë ka disa gjëra të tjera që jetojnë gjatë dhe Sahati i Tiranës është një ndër ato simbole që na kujton se pavarësisht se çfarë ndodh në jetën tonë, ai do të mbetet këtu edhe kur të mos jemi ne”, u shpreh Veliaj.

Kulla e Sahatit tashmë do të jetë e hapur edhe për publikun. Çdokush që dëshiron të sodisë Tiranën nga maja e kullës mund të përshkojë 90 shkallët e saj në formë spiraleje, në një lartësi prej 35 metrash për të soditur qendrën e kryeqytetit nga një kënd tjetër./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.