FOTO/ Investime dhe përmirësim i infrastrukturës në periferi të Tiranës

TIRANË, 8 qershor/ATSH/-Turi i llogaridhënies në Bashkinë Tiranës u ndal kësaj here në Bërzhitë, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ministri për Financat dhe Ekonominë, Arben Ahmetaj dhe deputetët e PS, Blerina Gjylameti dhe Xhemal Qefalia, bashkëbiseduan me banorët e zonës për projektet infrastrukturore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Veliaj theksoi se gjatë kësaj kohe është rikthyer vëmendja te zonat rurale, ndërsa vlerësoi reformën administrative-territoriale të qeverisë, e cila sipas tij, ka rritur mundësitë e investimeve në fshatra.

“Ideja e Kryeministrit për reformën territoriale, për ta zgjeruar Tiranën, ishte një nga idetë më të mira sepse për të bërë një shkollë në fshatin Mihajas me taksat e 400 banorëve, do të duheshin 82 vjet. Reforma i dha mundësi bashkisë të vjelë taksa në zona urbane dhe të investojë edhe në zonat rurale. Kësisoj, të bëjë në një kohë më të shkurtër, disa gjëra që nuk do ishin bërë për 80 vjet”, u shpreh ai.

Ai nënvizoi se me përfundimin e një sërë investimesh të mëdha, tashmë radhën e kanë zonat periferike.  Veliaj u ndal edhe në çështjen e investimeve për furnizimin me ujë të popullsisë, ku siguroi banorët se bashkia po ndërhyn në mjaft zona për të përmirësuar infrastrukturën. Ai theksoi se me rritjen e arkëtimeve si pasojë e mirëmenaxhimit të financave, bashkia ka më shumë mundësi që të investojë dhe të ndërhyjë atje ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale. Ai deklaroi se falë reformave të ndërmarra nga qeveria në këto pesë vite është bërë i mundur jo vetëm që në Shqipëri të mos përsëritet skenari grek në ekonomi, por edhe përmirësimi i klimës së biznesit dhe e barrës.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.