Filtri i Vetting-ut, gur themeli për shëndoshjen e sistemit të drejtësisë

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – “Filtri i imët dhe funksional i Vetting-ut do të shërbejë si gur themeli për shëndoshjen e sistemit të drejtësisë”.

Kështu deklaroi të premten, kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e përurimit të ambienteve të reja të këtij institucioni.

Sipas saj, “të qenurit i pastër, i papërlyer dhe i painfluencueshëm nga politika dhe paraja është parakusht thelbësor për të hedhur bazat e forta të shëndoshjes së drejtësisë së sëmurë shqiptare”.

“Drejtësia jonë ka çeduar shumë, duke rrëzuar besimin dhe respektin e opinionit publik, dhe kjo për shkak të individëve të korruptuar. Tani unë besoj se është koha dhe momenti që ata të japin llogari”, – tha Mulaj.

Ajo premtoi se “… nuk do të ketë asnjë tolerim, asnjë çedim, asnjë selektivitet dhe asnjë përjashtim”. “Sentenca: ‘Të gjithë të barabartë para ligjit’ duhet të funksionojë si e tillë dhe opinioni qytetar duhet të bindet që ne po e bëjmë këtë”, – shtoi Mulaj.

“Gjithashtu duhet të mësojnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për ta, por jo vetëm kaq, ata duhet dhe të japin llogari. Nuk ka drejtësi të cunguar, duhet të jetë e thellë, e plotë dhe të shihet si e tillë. Edhe nëse nga Vetting-u dalin vetëm pak të pastër në bregun tjetër, kjo është sërish mjaft e shëndetshme”, – theksoi Mulaj.

Kryetarja e KPA-së u shpreh se “ne po e operojmë drejtësinë e sëmurë shqiptare, por jemi të sigurtë se pas reanimacionit, ajo do të jetë më e shëndetshme se kurrë”.

Mulaj siguroi gjithashtu se, “do të denonconte pa doreza dhe pa ekuivok, çdo ndërhyrje financiare apo politike në Vetting”.

“Një nga gangrenat e shumta të realitetit shqiptar është padyshim selektiviteti. Unë jam e angazhuar dhe e përkushtuar tërësisht si në ditën e parë që mora detyrën, që të gjithë subjektet duhet të trajtohen me ndershmëri ekstreme. Kjo nënkupton thjesht dhe vetëm shqyrtimin në themel të të gjithë komponentëve që parashikon ligji i Vetting-ut, pra pasurinë, figurën dhe kompetencën profesionale”, – theksoi ajo.

Askush, tha ajo, nuk mund të vërë në dyshim integritetin dhe vullnetin tonë. “Ne jemi shërbëtorë të devotshëm të ligjit dhe të popullit”. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.