Veliaj: Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion turistë këtë vit

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është kthyer në një destinacion mjaft të rëndësishëm turistik, ku mund të gjesh përditë turistë nga rajoni, Europa si dhe mbarë bota.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak theksoi se në 4-mujorin e parë të këtij viti kryeqyteti është vizituar nga 300 mijë turistë dhe se qëllimi i bashkisë është që të arrihet deri në 1 mln të tillë në fund të vitit.

“Vetëm në 4-mujorin e parë kemi pasur 300 mijë turistë në Tiranë, pra ende pa filluar stina e verës. Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion këtë vit. Pra, të kemi aq turistë sa kemi edhe banorë”, – tha Veliaj.

Në funksion të turistëve dhe banorëve të kryeqytetit bashkia do të vendosë në përdorim nga dita e nesërme edhe 4 mijë biçikleta të reja.

“Qyteti do të fillojë të transformohet duke filluar nga nesër. Nesër do të kemi një lançim të madh të 4 mijë biçikletave për qytetin e Tiranës. Siç e keni parë, ka filluar pilotimi i disa qindra të parave dhe nesër do të shohim një mënyrë të re mobiliteti, ku mjafton përdorimi i celularit për ta futur Tiranën në listën e qyteteve pararendëse sot në çështjen e përdorimit të biçikletës”, – shtoi Veliaj. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.