SHBA – Kina blen me kusht 70 miliardë dollarë produkte amerikane

UASHINGTON, 7 qershor /ATSH-AFP/ – Kina propozoi blerjen e rreth 70 miliardë dollarëve mallra amerikane shtesë me kusht që administrata Trump të heqë dorë nga kërcënimi i tarifave doganore mbi 50 miliardë dollarë të mallrave kineze, konfirmoi sot një zyrtar i qeverisë amerikane.

“Ky propozim u bë gjatë seancës së tretë të diskutimeve në fundjavë në Pekin mes zyrtarëve të lartë kinezë, të drejtuar nga Liu He, këshilltari ekonomik i presidentit, Xi Jinping dhe një delegacioni amerikan të drejtuar nga sekretari për Tregtinë, Wilbur Ross”, theksoi dje “Wall Street Journal”.

“Këto lëshime përfshijnë blerjet shtesë të sojës, gazit natyror, naftës bruto dhe qymyrit”, konfirmoi sot një zyrtar i administratës Trump.

“Asnjë marrëveshje përfundimtare nuk është nënshkruar mes dy palëve. Ne nuk kemi më informacione për momentin”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Tregtisë.

Ndërkohë, Ministria kineze e Tregtisë konfirmoi sot në Pekin në një konferencë shtypi se dy palët kishin diskutuar për propozime konkrete.

“Kina dhe SHBA-ja kanë ndërmarrë diskutime të thella dhe precize për disa sektorë specifikë të bashkëpunimit tregtar, veçanërisht për produktet bujqësore dhe të energjisë”, deklaroi zëdhënësi Gao Feng.

I pyetur për shumën e supozuar prje 70 miliardë dollarësh, ai nuk e konfirmoi këtë shifër.

“Në vitin 2017, eksportet e mallrave amerikane drejt Kinës kanë kushtuar 130,36 miliardë dollarë”, sipas statistikave të departamentit të Tregtisë.

Deficiti tregtar amerikan vetëm për mallrat ishte më shumë se 375 miliardë dollarë në 2017.

Shtëpia e Bardhë kërkon nga Pekini reduktimin në 200 miliardë dollarë, por Kina ka refuzuar deri tani./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.