Ruçi shtron Iftar: Jeta na është dhënë për të bërë mirë

TIRANE, 7 qershor/ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, sonte, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, shtroi darkën e Iftarit me besimtarë myslimanë dhe të ftuar të tjerë.

Të pranishëm në darkën e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ishin Vasilika Hysi, zëvendëskryetare e Kuvendit; Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste; Skënder Bruçaj, kryetar i Komitetit Musliman të Shqipërisë; kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastas Janullatos; Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj; Ylli Doçi, pastor dhe kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; Loreta Aliko, kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet, përfaqësues të trupit diplomatik të vendeve me përkatësi fetare myslimane, si edhe përfaqësues të politikës, medias dhe biznesit në vend.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Ruçi uroi besimtarët për muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Këtu jemi në një familje të madhe, ku secili është i respektuar dhe i barabartë me të tjerët. Ku besimi te Zoti plotësohet nga besimi te njëri-tjetri dhe vlerat, që na ndriçojnë udhën. Ku dashuria për Zotin jetësohet në dashurinë për njëri-tjetrin dhe për atdheun. Ku sakrifica për atë që besojmë, shprehet nga ndihma për të varfërit e të ndryshmit nga ne”, – tha Ruçi.

Ai tha më tej se respekti dhe toleranca zëvendësojnë vrazhdësinë e grindjet në punët e përditshme.

Solidariteti, tha ai, sfidon individualitetin ndërsa shpresa rritet dhe zhgënjimi tretet nga puna, përpjekjet dhe vlerat njerëzore.

“Ku drita mund errësirën dhe e mira të keqen. Ku drejtësia sundon padrejtësinë dhe e mira e përgjithshme lulëzon te e mira për secilin. Zoti na ka dhënë jetë e frymë për të bërë mirë, ndaj ta bëjmë mirësinë njerëzore realitet. Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit! Agjërim të lehtë e të pranuar!” – përfundoi Ruçi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.