Policia dhe Agjencia për Forenzikë përmirësojnë nivelin e punës me pajisje të reja

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Projekti i UNDP-së Siguria në Kosovë (KSSP), në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, u dorëzoi sot Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Forenzikës pajisje për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.

Pajisjet do të përmirësojnë punën e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë për të mbështetur më tutje hetimet balistike: Sistemin për matjen e shpejtësisë së predhave (matja e shpejtësisë në grykën e armëve) dhe pajisja për mollazhimin e dyfishtë të dëshmive (klonimi i dëshmive balistike për të lehtësuar lehtësuar hetimet e përbashkëta). Gjatë ceremonisë, Policisë së Kosovës iu dorëzua Softueri analitik për nevojat e Pikës së Referimit për Armët e Zjarrit. Ndihma gjithashtu përfshinte trajnimin e personelit përkatës për përdorimin e duhur të pajisjeve të dhuruara.

Të pranishëm në ngjarje ishin përfitues dhe donatorë: Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, Ambasadori i Gjermanisë, Sh.T. Christian Heldt, Zëvendëspërfaqësuesja e Përhershme e UNDP, znj. Alessandra Roccasalvo, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Forenzikës, z. Blerim Olluri dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Burime në Policinë e Kosovës, z. Dejan Jankovic. Në mesin e të ftuarve ishin edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Ruari O’Connell, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë për Forenzikë, Policisë së Kosovës si dhe përfaqësues nga komuniteti ndërkombëtar nga fusha e sigurisë.

Pajisjet dhe trajnimi i nevojshëm janë mundësuar nëpërmjet kontributit bujar të Zyrës për Punë të Jashtme të Gjermanisë. /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.