Lufta ndaj terrorizmit, krerët e Policisë në Slloveni

TIRANË, 7 qershor/ATSH – A.Fortuzi/ – Në kuadër të luftës ndaj terrorizmit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqërur nga Drejtori i Anti-terrorit, Gledis Nano morën pjesë në Konferencën Kundër Radikalizmit të Dhunshëm.

Në Brdo, Slloveni u zhvillua konferenca përmbyllëse e projektit për ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e institucioneve për rritjen e kapaciteteve në këtë kuadër në Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt është pjesë e nismës “Iniciativa Kundër Terrorizmit në Ballkanin Perëndimor”.

Në konferencë morën pjesë drejtuesit e policive dhe të anti-terrorit të vendeve të rajonit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Slloveni, Serbi dhe Kroaci.

Gjatë konferencës u shkëmbyen eksperiencat më të mira si dhe u diskutua për të forcuar me tepër bashkëpunimin dhe koordinimin në të ardhmen.

Një pikë tjetër e diskutimeve ishte dhe fluksi migrator, kryesisht për migrantët e paligjshëm që vijnë nga zonat e konfliktit. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e këtyre fenomeneve. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.