Kuvendi miraton projektligjet në rendin e ditës, opozita bllokon foltoren

TIRANË, 7 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Kuvendi miratoi sot disa projektligje të rëndësishme, ndër të cilat projektligjin “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”.

Ndërkohë që deputetët e opozitës vijuan të mbajnë të bllokuar foltoren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi procedoi me votimin e projektligjeve të rendit të ditës.

Me shumicë votash deputetët votuan edhe projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lokarnos ‘Për përcaktimin e një klasifikimi ndërkombëtar për disenjot industriale’”.

Po ashtu, me 74 vota pro u miratua edhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Vjenës ‘Për klasifikimin ndërkombëtar të elementeve figurative të markave tregtare’”.

Kuvendi miratoi edhe raportin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2017, i prezantuar më herët në seancë nga kreu i këtij institucioni, Gentian Salaj.

Në përfundim të seancës deputetët miratuan edhe kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 18 qershor – 6 korrik 2018. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.