Kosovë-Shqipëri, konferencë të përbashkët për arsimin

PRISHTINË, 7 Qershor/ATSH/.- Një tryezë e përbashkët Kosovë-Shqipëri për arsimin pritet të mbahet në Prizren më 10 qershor, ku do të jenë të pranishëm edhe rektorët e universiteteve publike.

Këtë e bëri të ditur sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqiri Bytyqi, gjatë takimit me rektorët e universiteteve publike.

Bytyqi i tha rektorëve se ndër temat kryesore të takimit do të jetë shkëmbimi i profesorëve për programe të rëndësishme,  që janë në rrezik të mbyllen për mungesë të specialistëve.

Ministri Bytyqi i ka njoftuar ata për disa pika të rëndësishme bashkëpunimi mes universiteteve publike të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë me interes për të dyja vendet, të cilat kanë dalë nga takimi me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, që u zhvillua muajin e kaluar.

“Temë tjetër e rëndësishme e takimit të 10 qershorit do të jetë bashkëpunimi më i ngushtë mes Instituteve të Historisë, si dhe krijimi i një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve. Gjithashtu, në ketë takim diskutuam edhe për organizimin e një kampusi veror tradicional për studentët e të gjitha viseve shqiptare”, thuhet në njoftimin e ministrisë./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.