Izet Haxhia tek Krimet e Rënda, kërkon ballafaqim me Berishën

TIRANE, 7 qershor/ATSH/- Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur seanca gjyqësore ndaj Izet Haxhisë.

Në këtë proces, ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla, ndërsa pala e akuzës nga prokurori Petrit Bici.

Gjatë kësaj seance, ai kërkoi ballafaqim me ish-kryeministrin.

Izet Haxhia i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua një muaj më parë nga Turqia.

52-vjeçari Haxhia lindur në Babinë, Tropojë, është dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.

Sipas vendimit të gjykatës të datës 29.04.2002, hetimet kanë zbuluar se shtetasi Izet Haxhiaj, ka qenë një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në shtator të vitit 1998, kur pranë ish-selisë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë u vra deputeti Azem Hajdari. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.