Fuqizimi i statusit të gruas, themelor për zhvillimin e një shoqërie të hapur

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Fuqizimi i statusit të gruas në shoqëri, familje, ekonomi, politikë e çdo fushë të jetës është dimension themelor për zhvillimin e një shoqërie të hapur, demokratike e të lirë.

Gjatë ditës së sotme, u lançua Publikimi i Institutit të Statistikave (INSTAT) “Burrat dhe Gratë në Shqipëri, 2018”, botim i cili vjen edhe me mbështetjen teknike e financiare të “UN Women” dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADC), dhe që përbën një bazë të rëndësishme për pasqyrimin e situatës së grave dhe burrave në shoqërinë shqiptare.

Zv.Kryeministrja Senida Mesi duke nënvizuar rëndësinë e statistikave dhe treguesve në këtë publikim, theksoi faktin se ato jo vetëm që do t’u shërbejnë politikëbërësve në hartimin dhe monitorimin e politikave sektoriale e ndërsektoriale që hartohen për arritjen e barazisë gjinore, por do t’u vijë në ndihmë gjithashtu medias, shoqërisë civile dhe sidomos kërkuesve dhe akademikëve për të analizuar në një kontekst më të gjerë arritjet dhe sfidat në drejtim të barazisë gjinore në fusha si arsimi, shëndetësia, pjesëmarrja në tregun e punës, pjesëmarrja në vendimmarrje etj.

Në rolin e Koordinatores Kombëtare të Barazisë Gjinore, nisur edhe nga rëndësia e këtij publikimi, Mesi tha se “çështja e barazisë gjinore – pra fuqizimi i statusit të gruas në shoqëri, familje, ekonomi, politikë e çdo fushë të jetës – është dimension themelor për zhvillimin e një shoqërie të hapur, demokratike e të lirë. Nëse duam një familje, apo një shoqëri më të mirë, atëherë padyshim që na duhet një grua e fortë, e lirë, e pavarur, e realizuar dhe e zonja për vendimmarrje. Padyshim që gruaja është një fuqi ekonomike, sociale, kulturore, artistike e shkencore, pra një aset në çdo fushë të jetës. Ndaj, fuqizimi dhe përmirësimi i statusit të gruas në fakt është fuqizimi dhe përmirësimi i jetesës së të gjithë shoqërisë shqiptare”.

Kapitujt e përfshirë në botimin “Burrat dhe Gratë në Shqipëri, 2018”, pasqyrojnë fusha të ndryshme të të dhënave me bazë gjinore, të mbledhura si nga anketat e zhvilluara nga INSTAT, ashtu edhe nga informacioni që disponojnë institucionet e tjera shtetërore në vend. Ky botim shoqërohet në faqen e INSTAT me një infografikë dinamike, i cili është i lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë përdoruesit e statistikave gjinore dhe synon të krahasojë shifrat e burrave dhe grave në jetën e përditshme nëpërmjet kombinimit të tekstit, grafikëve dhe tabelave.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.