Autoritetet gjermane vlerësojnë arritjet e reformave në Shqipëri

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Autoritetet gjermane vlerësojnë arritjet e Shqipërisë.

Gjatë vizitës së saj në Berlin, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga Stephan Meyer, sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun gjerman nga Patrick Sensburg, kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale si dhe z. Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Ministrja Gjonaj i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Europian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë Qeveria jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin europian të Shqipërisë.

Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, veçanërisht rezultatet e para të Vetingut dhe në rastet e fillimit të ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë publikë, si dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftë kundër kriminalitetit, emigrimit të paligjshëm si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët europian.

Sensburg u shpreh i gatshëm për të mbështetur në çdo formë përpjekjet për promovimin e arritjeve të Shqipërisë jo vetëm me zyrtarët publikë në Gjermani, por edhe me qytetarët e tjerë gjermanë për të kuptuar proceset e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, Fechner, vlerësoi reformat e ndërmarra deri më tani duke theksuar se do t’ia përcjellë të gjithë kolegëve të tij rezultatet e prekshme të arritura si pasojë e këtyre reformave.

Gjithashtu, Fechner ofroi gatishmërinë e tij, si dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. /gj.mima/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.