Shërbimet nga administrata me zero vonesa dhe zero ryshfet

164

TIRANË, 6 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Një administratë që do të shërbejë me zero vonesa dhe me zero ryshfet është një nga synimet e funksionimit të platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Në një aktivitet të organizuar në Sallën e Hartave në kryeministri, Kryeministri Edi Rama u shpreh se, “kjo është një rrugë ku jo vetëm zgjidhim probleme, por edhe rrisim vetëdijen e punonjësve të administratës për fuqinë e çdo njeriu të zakonshëm”.

“Çdo person kur shfaqet në një zyrë apo sportel, mund të duket si tradicionalisht i pambrojtur dhe në pamundësi për t’u imponuar për të drejtën që i takon me ligj, por me këtë platformë çdokush, i çfarëdo kategorie sociale dhe nga çdo pozicion gjeografik, kthehet në një njeri që ka të gjithë fuqinë e vetë të qeverisjes me aksesin e drejtpërdrejtë në qeveri”, – tha Rama.

Çdo qytetar, tha Rama, “ka një mik të drejtpërdrejtë, qeverinë, që zgjidh problemin dhe vendos në pozitë përballë ligjit këdo në administratë që është bërë shkak për vonesën, zvarritjen dhe mostrajtimin në kohë e mënyrë ligjore, të hallit”.

Qëllimi i Platformës është i dyfishtë, theksoi Kryeministri, duke shtuar se “nga njëra anë synohet të zgjidhim problemet, por edhe të identifikojmë të gjithë ata që janë bartës të zakoneve të këqija të administratës dhe shkelin të drejtat e qytetarëve për dembelizëm, indiferentizëm, apo akoma më keq, për arsye korruptive”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.