RUSI 2018 – 140 mijë bileta në tregun e zi

MOSKË, 6 qershor /ATSH-ANSA/ – Rreth 5-7% e biletave për Botërorin në Rusi kanë dalë në tregun e zi, pavarësisht masave të ngritura nga FIFA dhe autoritetet ruse për të bllokuar këtë fenomen, njofton televizioni rus RBK duke cituar analizat e kompanisë “Eticket4”.

Rreth 140 mijë bileta, me një vlerë prej 22 milionë dollarë kanë dalë në shitje nëpërmjet rrugëve që nuk janë autorizuar nga FIFA.

Çmimet e fryra të biletave në tregun e zi arrijnë në më shumë se 400 dollarë për ndeshjet më pak të kërkuara, deri në mijëra dollarë për rastin e finales.

Sipas burimeve të RBK-së, trafiku i jashtëligjshëm i biletave mbetet më i ulët se sa ai i botërorit të mëparshëm, kryesisht falë përpjekjeve të bëra nga FIFA dhe autoritetet ruse për të penguar rishitjen.

Shumica e faqeve në internet që merren me rishitjen e biletave janë mbyllur me kërkesë të FIFA-s, që kohët e fundit ka ngritur një padi në gjykatën zvicerane kundër “Viagogo”, rishitësi kryesor i biletave në internet.

Nga ana tjetër, parlamenti rus miratoi në janar ligje të reja që parashikojnë gjoba shumë të larta në rastin e rishitjes dhe falsifikimit të biletave. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.