“Rruga e Kombit”, Ahmetaj dhe Gjiknuri takim me bizneset kosovare

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ – Në kuadër të konsultimit me grupet e interesit përpara rivendosjes së tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri pritën në takim një përfaqësi biznesesh nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Gjatë këtij takimi u vu theksi tek rëndësia e madhe që ka rruga Milot-Morinë, e njohur si “Rruga e Kombit”, për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Palët dakordësuan për nevojën emergjente që ka kjo rrugë për një mirëmbajtje sa më profesionale e të vazhdueshme, ashtu sikurse për aplikimin e sistemit tarifor të kalimit si garanci për këtë mirëmbajtje.

“Ne biem dakord që një tarifë duhet. Problemi është se si ta zbusim këtë tarifë. Çdo gjë që ulet këtu prapë e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe këtë duhet ta kuptojmë, pra buxheti i shtetit. Meqë u ngrit ky shqetësim, është bërë studimi dhe është nxjerrë kostoja e mirëmbajtjes dhe prandaj u detyruam të shkojmë tek praktika koncesionare. Rruga do minimalisht 7 milionë euro në vit për mirëmbajtje dhe nga do dalë kjo shumë? Pra, ose do paguajnë gjithë shqiptarët, ose përdoruesit e rrugës dhe kjo është e vërteta. Nuk janë kosto të fshehura ato”, – u shpreh ministri Gjiknuri.

Ministri i Infrastrukturës tha se qeveria po negocion jo vetëm për të adresuar problemet e popullsisë lokale të Kukësit si një problem i brendshëm, por dhe për të adresuar nevojat e përgjithshme të bizneseve, pavarësisht nëse ato janë në Shqipëri apo në Kosovë.

“Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje, dhe zbritja është duke u negociuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale, për shkak të mungesës së rrugës alternative. Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Pra, ketë gjë ne e kemi parimore, pasi me të drejtë atëherë do të krijoheshin disbalanca të tilla”, – theksoi Gjiknuri.

Ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri dëgjuan me vëmendje shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e biznesit të Kosovës lidhur me nivelin e tarifës dhe efektet e saj në kostot e tyre të transportit. Ata ranë dakord që të bëhen përpjekjet maksimale në drejtim të gjetjes së formave lehtësuese për mjetet e biznesit që lëvizin më shpesh në aksin Milot-Morinë.

Nga ana e përfaqësuesve të biznesit u hodh edhe ideja që qeveria e Kosovës mund të kontribuojë gjithashtu për të lehtësuar barrën financiare që krijohet nga zbritjet tarifore dhe nevoja për mirëmbajtjen e aksit rrugor.

Gjithashtu, përfaqësuesit e biznesit i propozuan ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri që rifillimi i zbatimit të tarifës së kalimit të fillojë në sezonin e ardhshëm turistik. Më tej, ministri Ahmetaj u ndal tek efekti që ka në buxhet çdo ndërhyrje lehtësuese në tarifat e kalimit në rrugën Milot-Morinë.

“Janë gati 48-50 milionë euro që i merr përsipër buxheti i shtetit të Shqipërisë për periudhën e koncesionit vetëm nga këto ndryshime që po mendojmë të bëjmë. Imagjinojeni se sa më shumë makina, kamionë e makina biznesi që të jenë, aq më shumë do paguajë buxheti i shtetit, sepse në finale është garancia që i ofron përmes koncesionit kompanisë koncesionare. Lajmi i mirë është se ju nuk do të paguani aq sa mendohej në kontratën e parë”, – theksoi Ahmetaj.

/z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.