Ankesa në “shqiperiaqeduam.al”, 8 familje në Pogradec marrin certifikatën e pronësisë

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ – Tetë familje në qytetin e Pogradecit kanë marrë legalizimin dhe certifikatën e pronësisë së banesave të tyre falë aplikimit në portalin e Platformës së Bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Qytetari Olian Muska, i pranishëm në një takim të organizuar në Sallën e Hartave në Kryeministri, ka falënderuar në emër të tetë familjeve Kryeministrin Rama dhe stafin e tij të Platformës së Bashkëqeverisjes, për punën shumë të mirë që kanë bërë. Ai  tha se “kam bërë një ankesë tek Platforma ‘shqiperiaqeduam.al’ në nëntor të 2017 dhe pas 10 ditësh më është kthyer një përgjigje: ‘po jeni në rregull me dokumentet, mund të vini të tërhiqni lejet e legalizimit'”.

“Pas lejes së legalizimit kam aplikuar edhe në Hipotekë dhe kam marrë certifikatën e pronësisë për tetë familjet”, – shtoi ai.

I pyetur nga kryeministri nëse kishte besim se do të zgjidhte problemin, Muska tha se kisha besim dhe kam qenë ndër të parët që e kam bërë këtë gjë.

Kryeministri Rama tha se ky rast është fatlum, sepse ju keni pasur besim, por në shumë raste është mungesa e besimit që është problemi ynë kryesor.

“Aksesi në Platformë mund të sigurohet nga telefoni me një aplikacion, por për të gjithë ata që nuk kanë, apo të moshuarit, ose ata që nuk janë të familjarizuar me internetin, ka në zyrat e Postës, në njësitë administrative dhe në zyrat e posaçme që janë ngritur enkas pranë selive të Partisë Socialiste për të shkuar dhe për të aplikuar me asistencën e personit përkatës, që bën aplikimin”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “faktikisht mundësia e aplikimit është e shtrirë në të gjithë territorin, zyrat e Postës janë në të gjithë territorin, mund të ketë mbase tek-tuk rast ku ka mungesa funksionimi ose interneti, por në përgjithësi kjo është e mundur për të gjithë në qytet, fshat, në zonat rurale, në zona të thella, etj”.

Rama tha se është fakt që ka një numër në rritje të qytetarëve që janë në kontinente të tjera, të cilët me vite të tëra kanë pasur probleme të këtyre llojeve dhe nuk kanë mundur të kenë akses.

Sipas tij, sot është e mundur që në 3 minuta të aplikojnë njësoj si në Shqipëri, Europë, Amerikë e kudo, sepse lidhja është e mundur.

Kryeministri bëri të ditur se në momentin që kushdo shkarkon në Platformë hallin e tij të kontaktojë drejtpërdrejt me ministrin.

“Nuk është një proces siç ka ndodhur me letrat nga populli, apo me zyrat e marrëdhënieve me publikun, ku ka pasur vonesa të jashtëzakonshme dhe ku letrat shpesh herë kanë humbur”, – nënvizoi ai, duke shtuar se aplikimi është drejtpërdrejt tek ministri, kjo është për t’u kuptuar nga çdo qytetar.

Në çdo mbledhje qeverie të çdo jave, shtoi Rama, në fund të mbledhjes kemi një raport mbi çështjet dhe çdo ministër është përgjegjës për të gjitha rastet që qytetarët adresojnë në sektorin që ai, apo ajo mbulojnë.

“Çdo ministër është personalisht i detyruar të ndjekë ecurinë e çdo rasti duke marrë një raport të përjavshëm dhe duke u vënë në lëvizje në çdo rast ku shikohet mungesa e një vonese apo ngurrimi të pajustifikuar nga ana e administratës”, – tha Rama./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.