Turizmi i natyrës në Zonat e Mbrojtura, kryefjala e kësaj vere

TIRANË, 5 Qershor / ATSH.N.Lena / – Turizmi i gjelbër tashmë po fiton përparësi edhe ndaj atij detar në mjaft zona të Shqipërisë edhe për faktin se shtrihet në të katër stinët e vitit. Zonat e Mbrojtura si ajo e Divjakës, Shebenik-Jabllanicë, e Tomorrit, e Thethit dhe Valbonës, Llogaraja etj. kanë turizëm gjatë gjithë vitit. Në turizmin e Zonave të Mbrojtura futen disa lloje të lëvizjeve turistike që nga ai sportiv, i aventurës, eko-turizmi, i historisë, kulinarisë etj. që i japin prioritet turizmit të natyrës.

 

Janë të shumtë vizitorët e huaj që i afrohen Shqipërisë pikërisht për natyrën e saj të bukur dhe mbresëlënëse. Ata nuk po vijnë më vetëm nga Europa Lindore,  por nga e gjithë bota.

Këto ditë, dëshira për të vizituar Shqipërinë ka bashkuar djemtë  Sam dhe  Ed nga Anglia si dhe Felippe nga Kili për të parë nga afër natyrën shqiptare. Ata janë mysafirë të dy djemve shkodranë Egli dhe Brigeli, që po i shoqërojnë miqtë e largët në vendet më piktoreske të zonës së Shkodrës. Djemtë shkodranë me shumë krenari u kanë  sugjeruar dhe  Rezervatin Natyror të Velipojës si një pikë turistike natyrore që nuk duhej humbur nëse vjen në Shkodër. Mbresat dhe përshtypjet e miqve ishin nga më të mirat.

Zonat e Mbrojtura dhe turizmi natyror po përfshihen si destinacione atraktive, çdo ditë e më shumë në paketat e agjencive turistike në vend.

Çdo ditë nisen nga Tirana apo qytete të tjera agjenci udhëtarësh me vizitorë të huaj apo vendas drejt destinacioneve natyrore të vendit. Investimi dhe kujdesi ndaj Zonave të  Mbrojtura ka bërë që ato të bëhen  kryefjala e turizmit këtë vit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.