SHBA – Takimi Trump-Kim mëngjesin e 12 qershorit në Singapor

UASHINGTON, 5 qershor /ATSH-AFP/ – Takimi i parë mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe drejtuesit koreano-verior, Kim Jong Un do të zhvillohet të martën më 12 qershor në orën 09:00 në Singapor, njoftoi dje Shtëpia e Bardhë.

“Ne po përgatitemi në mënyrë aktive për këtë samit”, theksoi zëdhënësja e Trump, Sarah Sanders duke konfirmuar se progrese domethënëse ishin regjistruar në diskutimet me Phenianin, tetë ditë nga ky takim i pazakontë mes presidentit amerikan në detyrë dhe burrit të hekurt të regjimit koreano-verior.

“Takimi i parë u vendos më 12 qershor në orën 09:00 në Singapor”, theksoi ajo.

Pyetur për një ndryshim të qëndrimit amerikan përballë Phenianit pas refuzimit të fundit nga Donald Trump për të përdorur shprehjen “presion maksimal”, Sanders theksoi se nuk kishte pasur zhvillime.

“Politika jonë nuk ka ndryshuar, ne nuk do ta ulim presionin për aq kohë sa nuk do të ketë denuklearizim”, shtoi ajo.

Uashingtoni kërkon një denuklearizim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të Koresë së Veriut dhe u shpreh i gatshëm të japë garanci për sigurinë e regjimit, që e ka konsideruar arsenalin e tij si një lloj mbijetese./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.