Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, përballet me Vetingun më 8 qershor

331

TIRANË, 5 qershor /ATSH- I. Vata/ – Procesi i Vetingut po vijon me kalendar të ngjeshur për sa i përket skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që më 8 qershor,  këtij procesi do t’i nënshtrohet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shpallur kalendarin e seancave dëgjimore ku në datën 8 qershor në orën 10:00 do të dalë në seancë dëgjimore kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

Po ashtu bëhet e ditur se trupa që do të gjykojë dosjen e tij do të përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

Në bazë të ligjit të Vetingut, kreu i Kushtetueses do të skanohet për tre kriteret siç është ai i pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.

Gjykata Kushtetuese është me trupë të reduktuar, pasi ka mbetur me vetëm tre anëtarë.

Më herët dha dorëheqjen gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, ndërsa u shkarkuan Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha. Ndërsa e vetmja që e kaloi Vetingun ishte anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Pas shpalljes së datës së seancës dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për skanimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, i vetmi që nuk kanë kaluar në sitën e vettingut është anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari. /j/p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.