Braçe: Audio-përgjimi sajesë kriminale, nuk mbyllet pa u hetuar

185

TIRANË, 5 Qershor/ATSH/ – Kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe e ka konsideruar akt të pastër kriminal audio-përgjimin e PD-së përmes një personazhi të njohur tashmë si “Babalja”.

Mbledhja e komisionit Parlamentar të Ekonomisë e Financave u zhvillua sot me debate mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen “Xhafaj”.

Demokratët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm në vijim të akuzave në adresë të të vëllait.  Ndërsa kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe e ka konsideruar akt të pastër kriminal audio-përgjimin e partisë Demokratike përmes një personazhi të njohur tashmë si “Babalja”.

Deputeti socialist theksoi se kjo ngjarje nuk mund të mbyllet pa u hetuar dhe se autorët do të mbajnë përgjegjësi ligjore. Braçe theksoi gjithashtu se përmes audio-përgjimit të sajuar të “Babales”, PD tenton të marrë pushtetin me dhunë.

“Të hetohet audio-përgjimi. Ai është një akt i pastër kriminal, ku është përfshirë PD. Sajojnë gjithçka për të ardhur në pushtet. Kjo histori nuk do të mbyllet pa u hetuar gjithçka. Inskenimi, për një synim për të marrë pushtetin me dhunë”.

Braçe u shpreh se “deputetët e opozitës nuk e përmendin më që prej 10 ditëve çështjen e audio-inskenimit kriminal, që u bë thelbi i një kauze kundër ministrit të Brendshëm në këtë vend”.

“Ky është një akt i pastër kriminal, ku është përfshirë partia më e madhe e opozitës, si një institucion kushtetues dhe që për shkak të këtij akti përbën rrezik fondamental për liritë dhe të drejtat e shtetasve në këtë vend. Është një akt i pastër kriminal që duhet hetuar nga A-ja tek ZH-ja për t’i thënë opinionit publik se ku mund të bjerë një parti që pasi vret 4 njerëz në mes të bulevardit, pas këtij akti kërkon të kthehet në pushtet pa u gjykuar dhe pa u dënuar ministri i Brendshëm i asaj kohe” .

“Të hetohen deri më një për t’i shkuar në fund kësaj historie që mos përsëritet më në këtë vend, që për rikthimin në pushtet me dhunë të sajohen ngjarje të rënda kriminale që duhen ndëshkuar që njerëzit të jenë të garantuar. Përndryshe rreziku që vjen nga një opozitë e tillë është maksimale”, tha Braçe.

Pas fjalës së tij deputetët demokratë janë larguar nga mbledhja. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.