Aeroporti i Vlorës, Rama: Gati brenda 2020-ës

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama gjatë hapjes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës, u shpreh i bindur se aeroporti i Vlorës, punimet e të cilit do të fillojnë shumë shpejt, do të jetë gati brenda vitit 2020.

Kryeministri theksoi nga Orikumi se ndërtimi i aeroportit do të lehtësojë qarkullimin për banorët e jugut të vendit dhe se qeveria është duke negociuar për kontratën e aeroportit të Vlorës.

“Jemi duke diskutuar e negociuar kontratën për aeroportin e Vlorës, ku besojë se do të nisë nga puna së shpejti. Një investim me vlerë të konsiderueshme për një portë të re hyrëse e dalëse që konkuron aeroportin e Rinasit dhe krijon lehtësira për udhëtarët në zonën e jugut, por dhe për turistët. Kam bindjen se do ndërtojmë aeroportin në një kohë më të shpejtë sesa parashikohet e shpresoj të dali siç e kam unë bindjen e shpresoj ta kemi të hapur aeroportin brenda vitit 2020”, – përfundoi Rama.

Aeroporti i Vlorës planifikohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë, 20 kilometra larg qytetit të Vlorës, ndërsa mendohet të jetë 10 minuta larg autostradës Vlorë-Fier. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.