Vetingu i prokurores Anila Leka, vendimi me 6 qershor

518

TIRANË, 4 qershor /ATSH- I. Vata/ -Komisioni i Pavarur i Kualifikimi zhvilloi sot seancën dëgjimore ndaj subjektit deklarues Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme e cila i nënshtrohet Vetingut për tre kriteret e ligjit siç janë vlerësimi i pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit profesional.

Seanca e sotme u përfaqësua nga trupa gjykuese e përbërë nga kryetarja Firdes Shuli, dhe anëtarët Roland Ilia, Suela Zhegu.

Kryetarja e trupës gjykuese, Shuli në seancën dëgjimore ndaj Anila Lekës, e njohu subjektin me procedurat . “Kjo seancë dëgjimore do zhvillohet sipas kësaj procedure: së pari, do bëhet prezantimi i subjektit të rivlerësimit, më pas e merr fjalën relatorja e çështjes e cila do të shpjegojë procedurën e ndjekur gjatë procesit të rivlerësimit si dhe rezultatet e hetimit deri në këtë fazë”.

Më tej, ajo tha se “në fillim subjekti  i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë shpjegimet në lidhje me relacionin, pas kësaj anëtarët e trupit, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë t’i drejtojnë pyetje subjektit. Dhe në përfundim të seancës do të ftohet subjekti i rivlerësimit të shprehë mendimin për procedurën e rivlerësimit si dhe të japë parashtrimet e saj”.

Subjekti i rivlerësimit, Anila Leka e cila ishte e pranishmë në seancën dëgjimore dha identitetin e saj dhe detyrën që mban, si prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ajo u informua nga kryetarja e trupës gjykuese,  Shuli se në përputheje me nenin 35 pika 1 të Kodit të Proceduarave Administrative, gjyqtarja ka të drejtën e një përfaqësuesi”.

“Në përputhje me pikën 3 të nenit 55 të ligjit 84, të vitit 2016 kjo trupë gjykuese dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë t’ju drejtojnë pyetje, ndërsa ju keni të drejtë të refuzoni t’u përgjigjeni. Ju kujtojmë se qëndrimi juaj sot si dhe gjatë gjithë komunikimit me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, do të merret në konsideratë gjatë këtij procesi në përputhje me nenin 48 të ligjit”, tha Shuli.

“Në zbatim të pikës 4 të nenit 55 të ligjit 84 2016, trupa gjykuese ka të drejtë t’ju kufizojë fjalën tuaj, po ashtu ju bëjmë me dije  se në çështjen tuaj, trupa gjykuese ka vendosur të realizojë procesin e rivlerësimit bazuar në të tre kriteret e bazuar ne nenin 4 pika 1 të ligjit 84, që janë kriteri i pasurisë, i figurës dhe ai profesional. Sipas nenit 59 të këtij ligji, vendimi për konfirmimin në detyrë mund të jepet vetëm se në përfundim të procesit ju plotësoni së bashku kushtet ligjore në lidhje me plotësimin e këtyre tre kritereve, me përjashtim të rastit kur nga vlerësimi tërësor i rrethanave ju keni cënuar besimin e publikut të sistemit të drejtësisë sipas nenit 61 pika pesë e ligjit”, shprehet Firdes Shuli.

Sipas ILKDPI, prokurorja ka bërë deklarime të sakta dhe nuk ka fshehje të pasurisë. Ajo disponon në Tiranë një apartament me sipërfaqe 95 m2, dhe një vlerë prej 34 mijë dollarë. Gjithashtu ka një apartament në Durrës, të vlerësuar 3 milionë lekë dhe bono thesari 11.500 dollarë.

Gjithashtu sipas deklarimit në llogari të babait të saj ka bono thesari, 3.5 milionë lekë, dhe llogari bankare 7 mijë dollarë. Ndërsa e ëma, një llogari bankare 9 mijë dollarë. Në lidhje me figurën e Lekës, DSIK konstaton përshtatshmëri, dhe vlerësim për aftësitë profesionale.

Vetë prokurorja i kërkoi trupës gjykuese të konfirmohet në detyrë.

Leka e ka nisur karrierën e saj në vitin 2004, dhe ka qenë dhe eksperte në Shkollën e Magjistraturës. Prej vitesh ajo punon në organin qendror të akuzës. Vendimi do të jepet më 6 qershor në orën 09.00. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.