Tiranë, masa ndaj lokaleve me zhurmë tej normave të lejuara

145

TIRANE, 4 qershor/ATSH/- Policia e Tiranës në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, po kryejnë kontrolle të vazhdueshme në lokalet e kryeqytetit, zhurma e të cilëve është kthyer në burim shqetësues për qetësinë e qytetarëve.

Për lokalet që janë kostatuar me zhurma tej normave të lejuara, janë marrë masa për pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit të tyre.

Nisur nga telefonatat dhe ankesat e qytetarëve si dhe nga postimet në aplikacionin e “Komisariatit Dixhital” për shqetësimet e vazhdueshme ndaj zhurmave tej normave të lejuara, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, bazuar dhe në Urdhërin Nr.543, datë 30.05.2018 për “Për marrjen e masave të menjëhershme në bashkëpunim dhe me strukturat e tjeta shtetërore, ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare”, gjatë fundjavës ushtroi një sërë kontrollesh në lokalet e kryeqytetit.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në 2 subjekte, lokale në rrugën “Brigada Vlll” është konstatuar paligjshmëri në lidhje me zhurmat e larta akustike tej normave të lejuara, ku për pasojë nga ana e ISHMPU në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Tiranë është marrë masa e pezullimit të menjëhershëm dhe të plotë të aktivitetit të këtyre 2 subjekteve pas orës 24:00 të natës.

Edhe në fundjavat në vijim, por jo vetëm, në vijimësi shërbimet e Policisë Tiranë në mbështetje të ISHMPU do të vijojnë kontrollet në lokalet e kryeqytetit me qëllim sigurimin e qetësisë publike për qytetarët.

Policia e Tiranës, falënderon qytetarët për besimin dhe fton ata që të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112 dhe në “Komisariatin Dixhital” duke i siguruar për një reagim të shpejtë e të paanshëm. /m.z//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.