GUATEMALË – 25 të vdekur pas shpërthimit të vullkanit Fuego

GUATEMALA CITY, 4 qershor /ATSH-AFP/ – Të paktën 25 persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën në Guatamala nga shpërthimi i një vullkani, ku llava dhe hiri janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, njoftoi mbrojtja civile.

“Bilanci është 25 të vdekur”, deklaroi zëdhënësi i Koordinimit Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave (CONRED), David de Leon.

Mijëra persona u evakuan.

Me një lartësi deri në 3 763 metra, vullkani Fuego (Zjarri) ndodhet rreth 35 kilometra nga kryeqyteti.

Aeroporti ndërkombëtar “Ciudad de Guatemala” u mbyll përkohësisht për shkak të sasive të mëdha të hirit vullkanit.

”Personeli i aeroportit dhe i ushtrisë u angazhua për pastrimin e pistave për të mundësuar vijimin e fluturimeve”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil.

Shpërthimi përfshiu kryesisht komunat rurale në afërsi të vullkanit dhe ish-qytetit kolonial të Antiguas, zona më e rëndësishme turistike e Guatemalas./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.