FRANCË – Grupi francez PSA tërhiqet nga Irani për shkak të sanksioneve amerikane

PARIS, 4 qershor /ATSH-AFP/ – Prodhuesi francez i automjeteve PSA njoftoi sot se po përgatit tërheqjen e tij nga Irani, tregu i tij i parë i huaj në volum, për të respektuar embargon kundrejt Teheranit të vendosur nga SHBA-ja pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja mbi bërthamoren iraniane.

Grupi PSA, markat e të cilit “Peugeot” dhe “Citroën” kishin krijuar kompani të përbashkëta në Iran, njoftoi në një komunkatë se “ka filluar procesin e pezullimit të aktiviteteve të tij joint-ventures (ndërmarrje të përbashkëta), për t’u përshtatur me ligjin amerikan deri më 6 gusht 2018”.

PSA shiti vitin e kaluar 444 600 automjete në Iran, vendi ku tradicionalisht ka qenë më mirë i vendosur dhe që përbën tregun e parë të huaj para Kinës (382 800 njësi), Britanisë së Madhe (279 100), Italisë (265 200) dhe Gjermanisë (257 800). /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.