REPORTAZH – “Liberation”: Shqipëria, vendi ku do të gjeni gjithë Ballkanin

PARIS, 3 qershor /ATSH/ – Përtej qarqeve turistike, duhet vizituar vendi i fundit që doli nga komunizmi pas rënies së murit dhe që prej Tiranës, kryeqyteti i saj, për të zbuluar pesë qytete ku përzihen suvenire dhe Riviera, shtëpi osmane, kështjella dhe xhami, shkruan e përditshmja franceze në një reportazh që i kushtohet Shqipërisë në faqen e saj të internetit, “Liberation.fr”

Nuk keni shumë para, por dëshironi kaltërsi dhe yje të freskët, si të gjithë në verë? Dëshironi të zhyteni në një kulturë që nuk njihet mirë, por që epopetë e saj të para gojore janë edhe më antike sesa Iliada dhe Odiseja (vetëm nëse Homeri nuk është vetë shqiptar, nëse bazohemi në romanin e mrekullueshëm të Ismail Kadaresë, “Dosja H”)? Nuk dëshironi të dëgjoni anglishte të folur keq, as frëngjisht? Atëherë Shqipëria malore, vendi i fundit që ka dalë nga komunizmi pas rënies së murit të Berlinit dhe më i mbylluri gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, është një opsion. Udhëtime me mikrobus dhe ‘Mercedesë’ të vjetër (të gjitha taksitë janë modele antike të kësaj marke) jashtë Tiranës, krejt të rastësishme, përmes pesë qyteteve verore të vendit.

Dhërmiu, një Saint-Tropez i vërtetë

Shqiptarët e quajnë rripin e vogël të kilometrave që shtrihet nga Vlora deri në Sarandën e zhurmshme dhe të gëzuar “Riviera shqiptare” dhe u pëlqen të thonë se qyteti i vogël i Dhërmiut është Saint-Tropez. Në fakt është e paedukatë, pasi fshati i Dhërmiut është shumë më lehtësisht i frekuentueshëm sesa porti në jug të Francës. Sigurisht, në disa plazhe, ka klube nate, kafene ku dëgjohen muzika të ndryshme, aq shumë, sa që kur merr peshqirin dhe shtrihesh në shezllon ke përshtypjen se të ka mbetur radioja mes dy kanalesh të ndryshme.

Megjithatë, bregu i Dhërmiut ka shumë avantazhe, duke përjashuar disa turistë rusë dhe italianë buzë ujërave të kaltër, pjesa më e madhe e fluksit është nga vendasit. Në Jal mund të gjeni një qendër zhytjeje, nëse largohesh edhe disa kilometra plazhet janë tërësisht të virgjëra, por rrallëherë të pastruara. Po Dhërmiu i vjetër, fshati, që qëndron sipër detit? Ai përzihet me ndërtime të kohëve të fundit. A ekziston një arkitekturë shqiptare? Arkitekti Herve Loiselet, që ka restauruar disa nga shtëpitë e vjetra të Qeparoit të mrekullueshëm, preferon të flasë për “arkitekturë ballkanase”. Ajo është shumë e thjeshtë me ndërtime guri dhe portat e shtëpive nuk bien detyrimisht nga deti, por janë të drejtuara nga drejtimi i erës apo ai i lindjes së diellit. Një tjetër fshat i vjetër, por i rinovuar, është Kudhësi. Për të tërhequr turistët bashkia ka rikonstruktuar një kafene të vjetër të periudhës komuniste mbi një shesh të lashtë ku janë rikthyer mbi mure parrulla në lavdi të diktatorit Enver Hoxha. Që mund të interpretohet gjithashtu si një ironi, në raport me dekadat e shtypjes që nuk kanë pushuar së peshuari mbi vend.

Berati, qyteti i “një mbi një dritareve”

Cilët janë bektashinjtë, një urdhër fetar ku shumica e të cilit jetojnë në Shqipëri që prej fillimit të shekullit të XX, pasi u përzunë nga Turqia?

“Muslimanë praktikantë që pinë alkool, hanë mishin e derrit (por jo të lepurit), që nuk i mbulojnë gratë dhe që çdo 22 gusht nisen për pelegrinazh në malin e Tomorrit” (me lartësi 2 400 metra) për një super festë me pije alkoolike dhe mish të pjekur!” – shpjegon Dritani, gjithashtu bektashi.

Në fakt i vecantë është që Berati, kështjella e të cilit është shpallur trashëgimi e UNESCO-s, por e banuar gjithë vitin, nuk ka asgjë të përbashkët me një qytet-muze. Që do të thotë, se në shtëpitë mesjetare osmane, të ndërtuara në kurriz të njëra-tjetrës dhe ngjitur me kisha bizantine që ngrihen në krahët e xhamive më të vjetra në Shqipëri, asgjë nuk i pengon banorët të jetojnë aty, të shkojnë në shkollë dhe në punë. Vetëm duhet pasur kujdes nga këpucët me taka, për shkak të kalldrëmeve.

Është e vështirë të imagjinosh që qyteti, i cili sot simbolizon paqen, tolerancën dhe sinkretizmin, ka qenë një prej më të rrezikshmëve pas rënies së murit, gjatë krizës ekonomike të vitit 1997, kur një luftë civile e pashpallur shkatërroi vendin.

Korça, “Parisi i vogël”

Eshtë një prej qyteteve më të këndshëm në Shqipëri, për klimën perfekte gjatë verës, por edhe më festivja, kryesisht me festën e birrës që zhvillohet në gusht, më intelektualja dhe më parizienia!

Përse Paris? Sepse në vitin 1916, me ndihmën e ushtrisë franceze qyteti u organizua si një shtet i vogël autonom dhe u bë republika e Korçës, shumë e bashkuar me Francën sikurse dëshmon edhe flamuri që i ngjante sa atij francez, edhe atij shqiptar. Po ashtu, në vitin 1917 u hap edhe Liceu Francez, që vazhdon të jetë i hapur, i cili edukoi gjithë elitën vendase, përfshirë edhe të tmerrshmin Enver Hoxha. Në kujtim të kësaj France të vogël mund të vizitohen varrezat e ushtarëve francezë, ose të pish një gotë në kafenetë ku dëgjohen shpesh këngët e France Gall, Aznavour, Jacques Brel et Françoise Hardy, përpara se të bësh një shëtitje në Aleancën Franceze.

Pogradec, për plazh

Nga dalin gjithë këta njerëz? Nga buron kjo turmë, ku shumë mbajnë stoli me perla të rreme, ku gratë kanë funde me pala dhe meshkujt kostume, që sapo bie mbrëmja ecën me një hap të vendosur dhe unanim, në një valë të qeshure dhe nën tingujt e muzikës, kur gjatë ditës plazhi i liqenit të Ohrit ishte bosh? Ndoshta ka pasur një festë dhe ne nuk e dinim? Ndoshta disa të tilla?

Shahistët vazhdojnë të luajnë shah, fëmijët vazhdojnë të zihen në kopshtet buzë liqenit, makinat e vjetra dhe të zhurmshme vazhdojnë të dëgjohen ngado dhe kur dielli i kuq fillon të zhytet nën ujë, një ndjesi gëzimi shfaqet.

Le ta themi hapur: bregu shqiptar i liqenit të Ohrit i papërdorshëm, i boshatisur, i ngrënë, i ndryshkur, është plot lumturi me rënien e mbrëmjes, pavarësisht papunësisë endemike që e ka shkretuar këtë rajon dhe që e bën një nga më të varfërit e vendit. Njerëzit dalin, bisedojnë, përshëndeten, ecin në mënyrë festive dhe energjike.

Nëse merr me qira një biçikletë dhe vazhdon disa kilometra, në drejtim të kufirit maqedonas, gjendesh përballë një ishulli të qetë ku uji i liqenit depërton në tokë. Ky është parku kombëtar i Drilonit, ku çifte të sapomartuar fotografohen. Mes një pylli të dendur gjenden disa restorante me këmbët në ujë, ku disa prej tyre janë shumë luksozë.

Gjirokastra, qyteti i gurtë

Sërish një arkitekturë që nuk ka të ngjarë, një qytet osman si Berati, por, ndryshe nga ky i fundit, Gjirokastra në verë është vështirë e arritshme dhe e paaksesueshme në dimër, është një qytet muze ku kryqësohesh vetëm me udhëtarë dhe turistë të lodhur. Banorët e saj jetojnë dhe punojnë në pjesën e poshtme, moderne të qytetit. Ismail Kadare, shtëpia e të cilit është e vizitueshme, ka shkruar një roman në kujtim të qytetit të tij të lindjes, “Kronikë në Gur”.

“Ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanizmit. Në fakt, një shtëpi shpeshherë mbaronte aty ku fillonin themelet e tjetrës dhe me siguri ishte i vetmi vend në botë ku, po të rrëshqisje në anë të rrugës, mund të gjendeshe mbi një çati. Dhe kjo, më së shumti të dehurve u ndodhte shpesh”. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.