FOTO/ Ura e Kamarës, bukuria mesjetare e Elbasanit

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ – Ura e Kamarës, monument kulture i kategorisë së I-rë ndodhet mbi lumin Shkumbin.

Ajo është një urë mesjetare e ndërtuar rreth viteve 1715,një tjetër atraksion turistik për turistët vendas dhe të huaj.

Përgjatë javës, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës realizuan një shërbim në Librazhd, në fshatin Mirakë, për të inspektuar nga afër gjendjen e konservimit të Urës së Kamarës.

Inspektimi kishte për qëllim evidentimin e të gjitha problematikave, për të vijuar më tej me hartimin e projektit të restaurimit, i cili parashikon ndërhyrje mirëmbajtjeje dhe konservuese në urë.

Ura e Kamarës ka pasur disa periudha ndërtimi, dhe gjithashtu gjatë periudhës osmane ka pësuar edhe një rindërtim.

Ajo ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit, në fshatin Mirakë. Kjo urë është asimetrike, me tre qemerë interesante për nga forma dhe lloji i ndërtimit.

Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metrash dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre.

Ura e Kamarës është e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 3.5 m dhe midis tyre ndodhen dritare shkarkuese në formë lundre.

Ura është e vendosur mbi tre qemerë, të ndërtuar me gurë ngjyrë gri në të bardhë si vetë përbërja e malit të Murrashit. Bazamenti për kalimtarët është ndërtuar me një kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.