Transformim i ri i infrastrukturës shëndetësore dhe arsimore për Elbasanin

TIRANË, 2 qershor/ATSH/- Zbatimi i një sërë projektesh në disa sektorë në qarkun e Elbasanit pritet të përmirësojë ndjeshëm jetën e banorëve të kësaj zone.

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të qarkut prezantoi disa nga projektet zhvillimore, ku veçoi atë për ndërtimin e linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni, që i shërben integrimit të vendit tonë në tregun energjetik rajonal.

Rama e cilësoi si një projekt strategjik ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë, por që sipas tij, prek të gjithë qarkun e Elbasanit.

Po ashtu, sipas Kryeministrit janë një sërë projektesh që po zbatohen për transformimin e infrastrukturës arsimore si dhe asaj shëndetësore.

“Janë evidentuar 300 qendra shëndetësore që kanë nevojë për transformim, ndërsa këtë vit do të bëhet e mundur ndërhyrja në 80 prej tyre, një pjesë e të cilave në qarkun e Elbasanit”, – bëri të ditur Rama.

Bujqësia, theksoi Kryeministri Rama, është një tjetër sektor që po gjen mbështetje jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga BE.

“Po mbështesim bujqësinë me një shumë që është më e madhja e vënë në dispozicion ndonjëherë nga qeveria dhe kemi po ashtu edhe shumën që vjen nga projektet e BE-së për këtë sektor”, – tha Rama.

Furnizimi me ujë sipas Ramës, është një tjetër prioritet i qeverisë sidomos në zonën e Belshit, zonë kjo që e vuan këtë fenomen.

“Kërkohet një investim i konsiderueshëm. Nuk mund të them se mund ta zgjidhim të gjithin dhe kudo menjëherë, por do të fillojmë menjëherë investimet me qëllim që të rrisim kohën e furnizimit me ujë brenda këtu në zonë dhe të ulim ndjeshëm kufizimet në zonat që vuajnë nga kufizimet shumë të forta”, – deklaroi kreu i qeverisë. /a.gjonaj//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.