Shtëpitë e ndërtuara nga shteti, por pa hipotekë? Rama premton zgjidhje

TIRANË, 2 qershor /ATSH- I. Vata/ – Kryeministri Rama premtoi nga Cërriku gjatë turit të Llogaridhënies se qeveria do të japë zgjidhje për problemin e shtëpive të ndërtuara nga shteti, për të cilat qytetarët as sot e kësaj dite, pas 30 vjetësh, nuk kanë mundësi të pajisen me dokument pronësie.

Ishte një qytetare nga Cërriku që ngriti problemin, duke u ankuar për gjendjen juridike të pronës së saj. “Jemi shpërngulur nga hidrocentrali dhe jemi vendosur këtu, por nuk kemi dokument për shtëpinë prej 30 vitesh”, – theksoi qytetarja.

“Nëse i ka bërë shteti, me një vendim qeverie ju do të bëheni pronar”, – tha Rama.

Kryeministri shpjegoi se “… nëse i keni shtëpi në disponim, do nxjerrim një vendim qeverie dhe ta kaloni në pronësi. Ajo që s’është bërë për 30 vjet, do ta bëjmë ne tani”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.