Rilindja Urbane transformoi Belshin, zhvillim agroturizmit

174

ERTV Live😊: Belsh- Në Food Butique “Zejtaria” me fermerë dhe sipërmarrës në agroturizëm e agropërpunim, në një zonë bukurish të rralla, ku falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane që ka hequr pluhurin e harresës e degradimit shumëvjeçar, ka nisur të zhvillohet turizmi rreth liqeneve👍

Posted by Edi Rama on E shtunë, 2 Qershor 2018

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Projektet e “Rilindjes Urbane” kanë transformuar Belshin, ku tashmë janë ndërtuar edhe strukturat e para të agroturizmit, duke i dhënë zhvillim zonës.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të shtunën një takim në Belsh, me fermerë dhe sipërmarrës në agroturizëm e agropërpunim.

Kjo zonë, sipas Ramës, ka po ashtu edhe shumë modele pozitive në zhvillimin e bujqësisë.

“Në Belsh mund të shikojmë edhe disa ndryshime të rëndësishme si rezultat i ndërhyrjeve me financimet e Rilindjes Urbane, sepse faktikisht kjo zonë është jashtëzakonisht e bukur, por ishte në gjendje katastrofike. Një territor ku nuk kishte asnjë arsye në botë të merrje rrugën për të ardhur, ndërkohë që kishte vështirësi të mëdha për ata që jetonin këtu”, – tha Rama.

Rama vlerësoi se sot ka një fluks në rritje për të shijuar bukuritë dhe shfrytëzuar strukturat e para të agroturizmit.

Kryeministri vlerësoi se “tendenca po ndryshon dhe nëse këtu nxitet zhvillimi i agroturizmit mund të ndodhë një ndryshim i jashtëzakonshëm për ekonomitë familjare”.

“Kjo është një zonë që jeton me bujqësi dhe pjesa tjetër ndesh vështirësi të mëdha. Ndaj duhet të shfrytëzohen bukuritë e zonës, duke pasur mbështetje nga qeveria për agroturizmin”, – tha Rama.

Duke u ndalur te paketa e mbështetjes në bujqësi, Rama tha se “këtë vit kemi investuar shumë më shumë se asnjëherë tjetër dhe kemi pasur 30% më shumë aplikime, prej të cilave  90% janë fitues”.

Sipas Ramës, “kjo është një shifër e konsiderueshme dhe tregon se korrupsioni është zero”.

Sa i takon zhvillimit të bujqësisë në këtë zonë, Rama tha se “fokusi është vetëm mbi 15 kultura bujqësore, në mënyrë që shpenzimet e njerëzve për të investuar në bujqësi të mos shkojnë dëm”.

“Investimi në disa kultura gabim do të bëjë që këto kultura të mos kenë treg. Përgjegjësi e qeverisë është informimi që të gjithë të fokusohen te kulturat që financohen, sepse ato kanë treg”, – tha Rama, duke theksuar domosdoshmërinë e mbështetjes së zinxhirit të vlerës.

Sa i takon ndërtimit të pikave të grumbullimit, Rama tha se në dispozicion është edhe mbështetja nga Fondet e Garancisë për Bujqësinë.

“Mund të bashkohen fermerët me bashkinë, të bëjnë projektin dhe të aplikojnë për të marrë kredi me interesa shumë të ulëta, që e shlyejnë në vite”, – shtoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.