Punësim real përmes investimeve

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ – “Punësimi është prioriteti numër 1 i këtij mandati qeverisës, ndaj ne do të vazhdojmë të insistojmë fort tek punësimi real dhe rritja e mundësive për të krijuar vende pune përmes investimeve”.

Në vijim të turit të llogaridhënies publike në Cërrik, Kryeministri Edi Rama u ndal te shifrat e punësimit duke nënvizuar progresin mjaft pozitiv në këtë drejtim.

Ai theksoi faktin se vetëm në Panairin e Punës në Elbasan janë 1567 vende të lira pune.

“Kemi vende të lira pune të kategorive të ndryshme, që nga vendet e punës me një pagë dhe deri tek ato me pagë të lartë”, tha Rama.

Referuar edhe raportit të Bankës Botërore, Kryeministri theksoi se “jo vetëm në Elbasan por në gjithë Shqipërinë kemi rritje të punësimit”.

Kjo, sipas tij, falë edhe një sistemi që po bëhet gjithmonë e më efikas të Zyrave të Punës, që kanë ndërmjetësuar dhe kanë arritur të realizojnë mbi 10 300 punësime”.

Kryeministri theksoi se “kjo është një shifër e konsiderueshme, por objektivi ynë deri në fund të vitit është që Zyrat e Punës të punësojnë 25 mijë njerëz. Rama shprehu bindjen se do ta tejkalojmë edhe këtë objektiv.

“Perceptimi i përgjithshëm që është në fakt krijesë e zhurmës së madhe politike edhe nëpër media se nuk ka punë, është një problem i madh për t’u thyer. Por besoj se këto panaire që ne po organizojmë janë një mënyrë për t’i afruar njerëzit me informacionin”, tha Rama.

Rritja e aktivitetit të Zyrave të Punës, sipas tij, tregojmë mundësitë se çfarë ofron sot tregu i punës.

Kryeministri theksoi se “kemi rritje të numrit të të punësuarve që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike, dhe tani u krijohet mundësia që përmes punës të marrim, në rastin më “të keq”, 5-fishin e mesatares së ndihmës ekonomike”.

“Në Shqipëri ka paga të ulëta kur bëhet fjalë për nivelin më të ulët të pagës, por besoj se çdo pagë, sado e ulët, jo vetëm është shumë më e lartë se sa të jesh pa punë ose me ndihmë ekonomike, por është e vetmja mënyrë për të filluar aftësimin për punë”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.