Papunësia në Elbasan është ulur me 5.4 %

TIRANË, 2 qershor /ATSH- I. Vata/ – “Vetëm këtë vit në qarkun e Elbasanit papunësia është ulur me 5.4%, ndërsa 424 persona janë punësuar pa kaluar nga zyrat e punës dhe mbi 500 persona janë dërguar për trajnim si punëkërkues, deklaroi kryeministri Rama nga Elbasani në panairin e Punës.

Kryeministri Edi Rama theksoi  se strategjia e punësimit tashmë është një realitet i prekshëm që ka përfshirë të gjithë vendin dhe numri i të punësuarve po rritet siç edhe po rritet numri i të trajnuarve si punëkërkues.

“Vetëm në qarkun e Elbasanit papunësia është ulur në 5.4%,  vetëm vitin e fundit. Nëse papunësia ishte 13.6%, sot papunësia është 8.2%, sepse vendet e punës janë reale të prekshme siç edhe shihet në këtë panair”, tha Rama.

Në vijim, Rama shtoi se “ndërkohë 424 punëkërkues janë punësuar tani pa kaluar nëpërmjet zyrave të punës dhe 525 persona janë dërguar për formim profesional. Ndërsa 80 punëkërkues financohen nga programet e nxitjes së punësimit”.

“Aktualisht jemi në kushtet qe vetëm gjatë muajit maj janë punësuar 221 persona”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.