Investime për shndërrimin e Belshit në destinacionin kryesor turistik të Shqipërisë së Mesme

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

TIRANË, 2 qershor/ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla deklaroi sot se investimet në zonën e Belshit për ta kthyer atë në destinacionin kryesor të turizmit të Shqipërisë së Mesme janë prioritet.

“Ne i qëndrojmë angazhimit tonë që ndër projektet themelore të zhvillimit të Dumresë e fshatrave të Belshit, furnizimi me ujë të pijshëm mbetet projekti themelor për këtë zonë. Pa ujin e pijshëm, kanalizimet dhe kanalet vaditëse është e pamundur të zhvillojmë zonën si duhet”, – tha Balla.

Më tej Balla theksoi se qarku i Elbasanit ka bërë hapa të mëdhenj, përsa i takon ndërlidhjes brenda rajonit.

“Nëse para viteve ’90 lidheshin vetëm me dy kanale komunikuese tradicionale që janë rruga përmes Librazhdit, Pogradecit e më tej Korçës, sot janë dy kanale të reja, rruga që mbaron brenda këtij viti që lidh shkurt Elbasanin me Cërrikun, më tej me Gramshin e Korçën, kanal ky që u mundësua falë investimeve mbi kaskadën e lumit. Po ashtu, është edhe kanali tjetër i komunikimit që lidh Belshin me Beratin duke shkurtuar me 40 km rrugën”, – tha Balla.

Duke iu referuar edhe panairit të zhvilluar sot në këtë qark për punësimin, Balla informoi se kompanitë private të këtij qarku ofrojnë 1567 vende të reja pune.

Balla u ndal edhe te investimet në arsim dhe shëndetësi, ku informoi se në këtë qark gjatë këtij viti është investuar për ndërtimin e 9 objekte të reja në arsim dhe 8 objekteve të reja në shëndetësi.

Deputeti socialist vuri në dukje se bujqësia është një tjetër sektor që do të mbështetet nga qeveria, por edhe nga donatorët.

Ai theksoi se shumë shpejt do të nënshkruhet një marrëveshje e re me Bankën Botërore përmes së cilës do të mundësohet përmirësimi i furnizimit me ujë për të gjithë qarkun, si dhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve.

/a.gjonaj//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.