Gjermania, mbështetje të fortë hapjes së negociatave për Shqipërinë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ – “Në qeverinë gjermane dhe në Bundestag-un gjerman ka mbështetje të fortë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perendimor dhe po ashtu për vijimin e procesit me hapjen e negociatave për Shqipërinë”.

Kështu deklaroi sot, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ishte i pranishëm në takimin me rastin e 30-vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman për zhvillim. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schutz, deputeti i Budestagut Olav Gutting, sipërmarrës dhe organizata gjermane që operojnë në Shqipëri si dhe personalitete të tjera të larta në vend.

“U bënë tashmë 30 vite që kur Shqipëria dhe Gjermania filluan një histori të re miqësie dhe bashkëpunimi ekonomik. Përpara vitit 1988, ndoshta ishte e çuditshme, por edhe pse nuk kishim asnjë lloj bashkëpunimi, këtu në Shqipëri kishte një simpati të paimagjinueshme për Gjermaninë, e formësuar në një tifozëri besnike ndaj ‘die mannschaft’, ‘Bayern’ apo pas viteve ’90 për ‘Mercedez-Benz'”, – u shpreh Balla.

Sot pas 30 vitesh, sipas Ballës, Gjermania është tashmë një vend mik dhe aleat tepër i rëndësishëm për Shqipërinë, një vend që në historinë e zhvillimit ekonomik, politik dhe social të vendit tonë, ka një kontribut tejet të veçantë.

Ai theksoi se “sot jemi në një moment tjetër historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të anëtarësimit në familjen europiane”. Natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian, tha Balla, edhe pse kemi ende shumë punë për t’u bërë vend anëtar.

“Shqipëria ka te Kancelarja Angela Merkel një simbol të besimit tonë tek Europa, duke e shndërruar po ashtu Kancelaren në një simbol të simpatisë së popullit shqiptar për popullin gjerman. Pse jo, ndër vite tashmë të njëjtë me simpatinë për ‘Die mannschaft’. Në një farë mënyre kjo simpati është shprehur edhe me emigrimin e parregullt të shumë shqiptarëve, sidomos në vitin 2015. Por kjo nuk është rruga e duhur. Shqipëria, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, është një vend i sigurt origjine dhe tregu gjerman i punës është i hapur për punësimin e ligjshëm për profesione të caktuara, për të cilët ka nevojë jo vetëm Gjermania, por edhe Shqipëria”, – tha Balla.

Duke u ndalur te mbështetja që Gjermania i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë, Balla theksoi se “sigurisht që ka edhe deputetë që janë kundër, ndër 698 anëtarë e Bundestagut. Për shembull deputetët e AFD janë kundër BE-së në tërësi”.

Po ashtu, sipas tij, “ka tek-tuk edhe ndonjë deputet të koalicionit qeverisës që është shprehur kundër, ndoshta për shkak se beson më shumë kryetarin tonë të opozitës, se sa Raportin e Progresit të Komisionit Europian”.

Megjithatë, Balla shprehu bindjen se “Shqipëria ka një shumicë të mjaftueshme mbështetëse në Bundestagun gjerman dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Procesi i Berlinit, sipas tij, është një tjetër investim i drejtpërdrejtë i Kancelares dhe Gjermanisë në rajonin tonë, si pikënisje e një etape të re në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, nxitjes së bashkëpunimit rajonal, përmirësimit të konektivitetit në energji, infrastrukturë, komunikim dhe rritjen e bashkëveprimit dhe shkëmbimeve mes vendeve tona në Ballkanin Perëndimor.

Balla theksoi se përgjatë këtyre 30 viteve, që nga viti 1988, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro direkt dhe po kaq indirekt. Ai vlerësoi rolin e zyrës së KFW dhe GIZ.

“Disa nga projektet që kanë gjetur mbështetjen e Gjermanisë, që janë strategjike në fakt, kanë qenë: linja e tensionit të lartë Tiranë-Prishtinë dhe Tiranë-Maqedoni; fondi i investimeve sociale; siguria e digave; eficenca e sektorit të energjisë, zhvillimi ekonomik-rajonal; promovimi i punësimit dhe arsimimit profesional; migrimi i rregullt, zhvillimet e infrastrukturës ujore në disa nga bashkitë kryesore. Shumë pak bashki kanë ngelur akoma pa u prekur nga ndihma juaj e drejtpërdrejtë në këtë sektor. Vetëm në dy vitet e fundit, 2016-2017, janë mbi 100 milionë euro financime për mbështetjen e programeve të ndryshme zhvillimore në vend”, – shtoi ai.

Gjermania është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me një volum shkëmbimesh në masë 464 milionë euro në vitin 2017.

Balla theksoi se janë mbi 190 kompani gjermane prezente në ekonominë shqiptare. “Këtu dua të përmend disa histori suksesi, si rasti i ‘Forchner Albania’, që tashmë po zgjerohet me fabrikën e dytë, apo emra të tjerë prestigjozë si ‘Telekom Albania’ apo ‘Tirana Bussines Park’. Rol të padiskutueshëm këtu natyrisht që luan edhe DIHA (Dhoma Gjermane e Tregëtisë)”, – tha ai.

Por sipas Ballës, para ka një sfidë kur vjen fjala për te investimet e huaja. Stoku i investimeve të huaja gjermane në Shqipëri, në fund të vitit 2017 është vetëm 116 milionë euro.

“Pra, kemi një hapësirë të pafundme për të zgjeruar investimet gjermane. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, e jona, për të bërë të mundur që vendi dhe sektorët të jenë atraktivë për kompanitë gjermane”, – shtoi ai.

Gjermania, shtoi Balla, për ne është një vend i madh dhe një partner i rëndësishëm por, mbi të gjitha, është burim lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të të gjithë rajonit në rrugën drejt Bashkimit Europian. /m.m//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.