SHBA – Tregu i smartfonëve rritje të ndjeshme në 2019 falë teknologjisë 5G

SAN FRANCISKO, 31 maj /ATSH-AFP/ – Shitjet botërore të smartfonëve pritet të bien sërish këtë vit, para se të regjistrojnë një rritje të ndjeshme vitin që vjen falë teknologjisë 5G, sipas një studimi të kabinetit të specializuar në këtë sektor, “International Data Corporation” (IDC) të publikuar dje.

Kjo rënie pritet të jetë 0,2% në vitin 2018, me 1,462 miliardë pajisje të shitura kundrejt 1,465 miliardë në vitin 2017 dhe 1,469 miliardë në vitin 2016, sipas parashikimeve të IDC-së, që parashikon më pas një rritje në vitin 2019 me 3% në vit, duke arritur 1,654 miliardë smartfonë të shitur në vitin 2022.

”Rënia e regjistruar në vitin 2017 (-0,3%) vjen kryesisht për shkak të tregut kinez, që ka rënë me 4,9%”, tregon IDC-ja, që parashikon një rënie tjetër për këtë treg me 7,1% për vitin 2018 dhe që pritet të stabilizohet në vitin 2019.

Në të kundërt, India është një treg në zgjerim, që pritet të ketë një rritje prej 14% këtë vit dhe 16% vitin e ardhshëm.

Në vitin 2019, tregu botëror mund të regjistrojë një rritje të ndjeshme pasi në gjashtëmujorin e dytë pritet të dalin telefonat e parë me teknologji 5G, lidhja ultra e shpejtë e internetit, që pritet të shtrihet në shumicën e rajoneve të botës në vitin 2020./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.