Sezoni veror, OSHEE masa për të garantuar furnizimin me energji elektrike

TIRANË, 31 maj /ATSH/ – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, (OSHEE) po kryen punime në nënstacionet e Himarës dhe Palasës në jug të vendit, për të rritur gatishmërinë dhe garantuar furnizimin normal me energji elektrike të konsumatorëve në prag të sezonit veror.

Në një postim në “Facebook”, OSHEE njofton se strukturat e Njësisë TL (Tensioni i Lartë) Rajoni Jugperëndimor, janë angazhuar për të kaluar në “sitë” rrjetin kryesor të furnizimit me energji elektrike, duke ndërhyrë në nënstacione dhe linjën 35 kV.

Në këtë kuadër, janë sistemuar disa pajisje të NST Palasë (Dhërmi), që lidhet përmes linjës 35 kV ajrore + kabllore, nga nënstacioni Himara e re Mobile – Himara e Vjetër – Palasë.

Rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike prek zonat: Himarë, Livadh, Jalë, Vuno, Dhërmi, Kondragje, Palasë, Qeparo, Kudhës, Pilur dhe Potam, citon njoftimi i OSHEE-së. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.