Qeveria shpronëson pronarët në rrugën e Pyllit të Sodës në Vlorë

303

TIRANË, 31 maj /ATSH/- Qeveria miratoi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës së Pyllit të Sodës”, Vlorë.

Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Vlorë.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, për pasuritë tokë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 113 474 245 (njëqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë.
Pronarët e prekur nga ky vendim kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë bashkisë Vlorë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë tokë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 113 474 245 (njëqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë, do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

Relacioni parashtron se, shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me bashkinë Vlorë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
Ndërkohë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.