PORTUGALI – Merkel kërkon reciprocitet në marrëdhëniet tregtare me Kinën

LIZBONË, 31 maj /ATSH-AFP/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi sot nga Lizbona për më tepër reciprocitet në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Bashkimit Europian dhe Kinës, pa dashur të kundërshtojë ofertën për blerjen e kompanisë më të madhe të Portugalisë nga ana e investitorëve kinezë.

“Është e rëndësishme që të ketë reciprocitet”, pohoi kancelarja gjermane e pyetur në lidhje me ofertën e bërë nga gjiganti energjetik “China Three Gorges” për të marrë kontrollin e “Energias de Portugal“(EDP), ndërmarrjes më të madhe të energjisë në  vend.

“Atje ku hapet Kina, ne gjithashtu mund të hapemi”, pohoi ajo gjatë një konference shtypi me kryeministrin portugez, Antonio Costa, në përfundim të një vizite dyditore në Portugali. Ne kemi biseduar për këtë çështje me Kinën. Ky është një shkëmbim i ndërsjelltë reciprok.

Kancelarja theksoi se Gjermania ka lidhje të ngushta ekonomike me Kinën, duke pranuar se ky interes kinez për investimet në Europë ishte i ligjshëm.

Në një kohë kur Gjermania ka kryer një numër të madh investimesh në Kinë, është mëse normale që Kina të jetë gjithashtu e interesuar për tregun europian.

Në vitin 2011, periudhë në të cilën kriza ekonomike botërore e detyroi t’i marrë një hua Bashkimit Europian me vlerë 78 miliardë euro, Portugalia privatizoi ekonominë për të shlyer borxhet, duke mirëpritur investitorët kinezë./

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.