Luhatjet e euros, rritet kredia në lekë

TIRANË, 31 maj /ATSH/ – Luhatjet e paparashikuara të monedhës europiane në këmbim me lekun, si dhe pritshmëritë për një zhvlerësim të mëtejshëm në të ardhmen, për shkak të sezonit veror, kanë rritur kërkesën për kredinë në lekë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në fund të muajit prill kredia në lekë shënoi vlerën e 16.4 miliardë lekëve, shifër kjo më e larta në katër muajt e parë të këtij viti.

Ndërkohë që kredia në monedhën europiane euro shënoi një rënie, me rreth 20 milionë lekë krahasuar kjo me një muaj më parë.

Ekspertët shprehen se, efekti i de-euroizimit por edhe humbja e besimit te monedha europiane, e cila është zhvlerësuar ndjeshëm muajt e fundit, ka ndikuar në rritjen e kredisë në monedhën kombëtare.

Në tregun valutor vendas, euro vijon të ndjekë trendin rënës. Të enjten një euro u këmbye me 125.92 lekë ose 0.36 lekë më pak se një ditë me parë. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.