Kuvendi voton projektligjet në rendin e ditës, opozita nuk merr pjesë në votim

TIRANË, 31 maj/ATSH-Maela Marini/ – Kuvendi miratoi sot me shumicë votash disa projektligje të rëndësishme, ndër të cilat edhe atë për financimin e projektit të linjës së transmetimit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë, nëpërmjet një huaje prej 42 milionë eurosh.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi procedoi me votimin e projektligjeve që ishin në rendin e ditës, ndërkohë që deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit dhe nuk morën pjesë në votim.

Deputetët e maxhorancës votuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit Sh.a, si agjencia e zbatimit të projektit dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë), nëpërmjet një huaje prej 42 milionë eurosh.

Me 75 vota pro, deputetët e maxhorancës votuan projektligjin “Për pranimin e skedulit CXL VI të zgjerimit të listës së marrëveshjes së teknologjisë së informacionit, në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë”, si dhe pr/ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e burimeve ujore dhe ujitjes, dhe të marrëveshjes për ndryshimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes”.

Po ashtu, deputetët votuan projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Me 75 vota pro, Kuvendi miratoi edhe kandidaturën e Ketrin Topçiut, si anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.