Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendos me 6 qershor fatin e Llallës për vettingun

TIRANË, 31 maj /ATSH- I. Vata/ – Në datë 6 qershor do të vendoset nëse ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do t’i nënshtrohet vettingut. Ky ishte vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ditën e sotme në një seancë që zgjati për rreth 3 orë.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka administruar si provë materiale dorëheqjen e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në vitin 2018 dhe provën e dytë, vendimin e Kuvendit për shkarkimit e tij në vitin 2017.

Në seancën e sotme, avokati i Llallës, Sokol Hazizaj kërkoi ndërprerjen e procesit të vettingut për Llallën, pasi dha dorëheqjen nga sistemi, por Komisioneri Publik kundërshtoi.

Sipas tij, Llalla nuk duhet ta paraqiste dorëheqjen para Presidentit, por pranë KLD, deri në ngritjen e KLP, ose Prokurores së Përgjithshme.

Në fund të seancës, Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të marrë si provë aktin e dorëheqjes së Llallës më 13.10.2008, si prokuror dhe aktin e largimit nga detyra si prokuror i përgjithshëm në 2017.

Ndërsa në datë 6 qershor trupa gjykuese do të vendosë nëse Llalla do t’i nënshtrohet ose jo vettingut.

Në seancën e nisur rreth orës 10.00, Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të nisë gjykimin ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të përfaqësuar nga avokati i tij Sokol Hazizaj.

Ish-kryeprokurori i ka dhënë prokurë përfaqësimi, avokatit Sokol Hazizaj. Siç vërtetohet nga trupa gjykuese, prokura është dhënë në Turqi dhe është në dy gjuhë, në shqip dhe në turqisht.

Kryetari i trupit gjykues, Sokol Çomo deklaroi, se “Adriatik Llalla është deklaruar me datë 28 05.2018, përpara një noteri publik në prani edhe me përkthyese që ka asistuar në përkthimin e tekstit të prokurës në të cilën, Adriatik Llalla ka vënë nënshkrimin e tij”.

Më tej, Çomo shtoi se “sipas përmbajtjes, ky dokument, pra prokura është pajisur me datë 29.05. 2018 edhe me vulë apostile, sipas Konventës së Hagës të 5 tetorit të vitit 1961”.

Në këto kushte, tha Çomo “trupi gjykues arriti në konkluzionin se avokati Skënder Hazizaj ka tagrin e përfaqësimit për të përfaqësuar subjektin e rivlerësimit, Adriatik Llalla edhe në mungesë të tij në këtë seancë gjyqësore, dhe e deklaroi shqyrtimin gjyqësor të hapur”.

Trupi gjykuese përbëhet nga pesë gjyqtarë, Ina Rama, Sokol Çomo, Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe relatori, Luan Daci, i cili u caktua me short.

Pak muaj me parë ish-kryeprokurori Llalla hoqi dorë nga sistemi i drejtësisë për t’i shpëtuar vettingut dhe procesi ndaj tij u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa Komisioneri Publik i dorëzoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit çështjen, ku kërkohet vazhdimi i procesit.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.