Haradinaj: Serbia kërkon shoqatën e komunave, ne energjinë

PRISHTINË, 31 Maj/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se dialogu teknik është ndërprerë, pasi Kosova si pikë të parë kërkon zbatimin e marrëveshjes për energji, ndërsa Serbia dhe europianët, pikë të parë kanë themelimin e shoqatës së komunave me shumicë serbe.

Haradinaj duke iu kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se pajtohet se nuk ka kuptim dialogu teknik, nëse tema për energjinë nuk respektohet.

“Ne kemi arritur në këtë fazë fatkeqësisht, jo me vullnetin tonë si Kosovë, ka shumë kohë që nuk po ndodh dialogu teknik pikërisht për shkak të kësaj situate. Ne e kemi konsideruar të padobishme të shkojmë në tavolina, ku nuk është pika e parë energjia, nuk refuzojmë tema të tjera, por duhet të jetë kjo e para, në fakt pala serbe e ka riradhitur axhendën, e para është shoqata e komunave me shumicë serbe  dhe për fat të keq edhe europianët kështu po e konsiderojnë radhitjen. Kemi patur disa komunikime jo aq të këndshme me lehtësuesit e dialogut, por jemi në pritje . Mendoj që parlamenti ka shumë të drejtë kur thotë që s’ka logjikë të trajtohen temat me një radhitje kaq të gabuar dhe mos të trajtohet me seriozitet çështja e energjisë”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj është ndalur edhe te pagesa e qeverisë prej një milion për energjinë në veri, por nuk do të ndodhë në pafundësi, pasi sipas tij, zgjidhja do të jetë ose të arrihet marrëveshja ose Kosova të veprojë një anshëm të drejtën në treg./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.