Bletaria, ministri Peleshi urdhëron ndalimin e disa pesticideve

492

TIRANË, 31 maj/ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në një takim me bletarë nga Lezha i informoi ata mbi urdhrin për ndalimin e disa pesticideve, si shkaktarët kryesorë të dëmtimit, reduktimit dhe zhdukjes të bletëve.

Përdorimi i pesticideve është një shqetësim, i cili nuk prek vetëm bletarinë shqiptare, por është një problem mbarëbotëror.

Sipas statistikave zyrtare numri i kolonive të bletëve në botë është reduktuar me 40%.

Shqipëria është nga të parët vende jo anëtarë që ka adoptuar dhe nënshkruar vendimin e Bashkimit Europian për ndalimin e disa pesticideve, duke e kthyer në akt ligjor për mbrojtjen e bletëve.

“I bashkohemi një vendimi të Komisionit Europian për ndalimin dhe përdorimin e disa pesticideve, që sipas studimeve të zhvilluara nga ekspertët europianë, janë nga shkaqet kryesore të dëmtimit, të zhdukjes apo reduktimit të kolonive të bletëve në Europë. Bëhet fjalë për tre pesticide”, – bëri të ditur Peleshi.

Sipas tij, jemi ndoshta vendi i parë në Europë, nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian që i bashkohemi brenda pak ditësh këtij vendimi të Komisionit Europian dhe po e kthejmë në një akt ligjor.

“Ne ndalojmë përdorimin e 6 lëndëve vepruese, sipas studimeve të Bashkimit Europian, Komisionit Europian mendohet se janë dëmtuesit kryesorë të bletëve. Bëhet fjalë për Fenazaquin, Bifenthrin, Neonicotinidet: Clothianidin, Thiamethoxam dhe Imidacloprid”, – deklaroi Peleshi.

Ministri ka përgëzuar bletarët shqiptarë, të cilët janë të organizuar në shoqatë, por ka dhe shumë bletarë të tjerë, të cilët janë të vegjël dhe kanë nevojë për mbështetje, këshillim dhe informim në lidhje me të rejat e fundit.

Qëllimi i qeverisë është ta kthejë bletarinë në një ekonomi mbështetëse për të kompensuar të ardhurat e pakta që fshati shqiptar ka.

Ministri informoi po ashtu dhe për mbështetjen që ky sektor do të marrë nga skema kombëtare dhe që llogaritet 1 mijë lekë për koshere. Të gjithë aplikuesit, tha ai, thuajse kanë dalë fitues.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.