Biznesi njihet me lehtësitë e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar

TIRANË, 31 maj/ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po zhvillon disa takime informuese me biznesin për t’i njohur ata me lehtësitë dhe përfitimet që mund të kenë nëse përfitojnë statusin e Operatorëve Ekonomike të Autorizuar.

Nëndrejtoresha e Doganave, Mirela Meko, gjatë një takimi me biznesin në Tiranë tha se dispozitat e reja ligjore për OEA-të lehtësojnë procedurat doganore për operatorët ekonomikë, ndërkohë që ulen dhe kostot dhe rritet siguria ligjore.

“Ende nuk kemi aplikime nga ana e operatorëve ekonomikë për marrjen e statusit OEA. Aktualisht po zbatohet gjerësisht procedura e thjeshtuar e zhdoganimit në ambientet e operatorit ekonomik, ose siç njihet ndryshe, zhdoganimi lokal. Deri tani janë miratuar shtatë autorizime për ‘zhdoganim lokal’ dhe këta operatorë janë kontigjent për të përfituar statusin e OEA”, – theksoi Meko.

Gjatë këtyre takimeve informuese, përfaqësuesit e Doganave janë mbështetur nga IFC, me asistencë teknike dhe ekspertë në këtë fushë.

Me plotësimin e bazës ligjore është bërë e mundur njohja reciproke e programeve kombëtare OEA në të gjitha vendet e CEFTA-s (Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovina, Moldavia).

Legjislacioni doganor lidhur me Operatorët Ekonomikë të Autorizuar është i njëjtë me atë të BE-së.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.