Anëtarët e Klubit “Vespa” në Bari mahniten nga Gjirokastra

TIRANË, 31 maj/ATSH/ – Qyteti i Gjirokastrës vijon të tërheqë turistë të huaj nga e gjithë Europa dhe jo vetëm. Kësaj here qyteti i Argjirosë u përshkua nga manifestimi “GIRO dei TRE MARI: ALBANIA Special Edition”.

Mbi 180 anëtarë të Klubit “Vespa” në Bari, “pushtuan” sot rrugët e qendrës historike dhe kalanë e qytetit, duke shijuar pamjen e mrekullueshme të qytetit, që mund ta gjesh vetëm në kalanë e Gjirokastrës.

Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) theksoi se “anëtarët e Klubit ‘Vespa’ kishin ardhur kryesisht nga zonat jugore të Italisë si Taranto, Brindizi, etj., dhe kanë përshkuar itinerarin Sarandë-Gjirokastër.

“Ata ngelën shumë të kënaqur, pasi panë diçka ndryshe në Gjirokastër, duke premtuar se herës tjetër që do të vijnë në Shqipëri do të marrin me vete familjet e tyre dhe miqtë.

Anëtarët e Klubit ‘Vespa’ qëndruan për rreth 1 orë në qytetin tonë, por në datat  6-7 në Shqipëri do të vijnë më shumë manifestues të huaj ‘Regati’, një manifestim i bukur.

Manifestuesit e këtij klubi përshkuan rrugët me kalldrëm të qytetit duke u ndalur te kalaja.

Ky ishte manifestimi i parë në qytetin e Gjirokastrës për këtë vit, por fluksi i turistëve ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme dhe janë me dhjetëra autobusa që vijnë çdo ditë.

Gjirokastra krijoi një impakt pozitiv te manifestuesit e këtij klubi, por ajo që është më e rëndësishme është që vetë banorët e Gjirokastrës po e kuptojnë që turizmi po troket dhe tregtarët kanë filluar përgatitjet për akomodimin e tyre”, përfundoi Prefekti Aliaj.

Në datat 6 dhe 7 qershor në vendin tonë do të vijnë edhe manifestuesit italianë “Regati”, ku me dhjetëra mjete me vizitorë do të nisen nga qyteti i Brindizit dhe do të ankorohen në gjirin e Vlorës. Aktivitetet u organizuan si bashkëpunim i “Vespa Club – Bari”, Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Bari, Konsullatës italiane të Nderit dhe autoriteteve lokale të Gjirokastrës, bashkisë dhe prefekturës./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.