Shqipëria klimë të favorshme për investimet e huaja

TIRANË, 30 maj/ATSH/- Ekzistenca e një legjislacioni të përshtatshëm, i cili ju jep investitorëve garancitë juridike për mbrojtjen e investimeve dhe barrierat minimale administrative, vlerësohen si instrumente të rëndësishëm për thithjen e investimeve.

Shqipëria ka adoptuar prej kohësh një legjislacion liberal, veçanërisht sa i takon investimeve të huaja në vend, i mbështetur në parimin e mos diskriminimit ndërmjet investitorëve vendas dhe të huaj.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato zhvilloi sot një vizitë në Tiranë pranë ambienteve të një shkolle private ndërkombëtare që pritet të çelë dyert nga fillimi i muajit shtator.

Hapja e një shkolle ndërkombëtare në vend, sipas ministres Qato, nuk është lajm i mirë vetëm për arsimin në Shqipëri por është indikator pozitiv dhe për klimën e investimeve të huaja në vend, të cilat dita ditës gjejnë terren përherë e më të favorshëm.

“Realitete multikulturore si kjo shkollë e shumë të tjera të hapura vitet e fundit, do të japin një kontribut të rëndësishëm në formimin e gjeneratave të Shqipërisë europiane”, bëri të ditur ministrja.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.