Sezoni turistik, tatimet apel biznesit: Deklaroni punonjësit

TIRANË, 30 maj/ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) apeloi sot tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit që të respektojnë detyrimin për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar me kohë të plotë apo të pjesshme.

“Të gjithë tatimpaguesit, të cilët do të punësojnë punonjës të rinj duhet t’i deklarojnë ata të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës”, – njoftoi DPT.

Paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është 24 mijë lekë në muaj.

Sipas DPT-së, në asnjë rast nuk parashikohet në legjislacionin në fuqi marrja e punonjësve në periudhë prove, që do të thotë se ju duhet të deklaroni të gjithë personat që angazhohen për të ofruar punën e tyre qoftë edhe në kohë prove.

Gjithashtu, detyrimi për përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore është edhe për studentët, të cilët punësohen në subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në sektorin e turizmit.

“Studentët trajtohen njësoj si të gjithë të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj ose më shumë se 87 orë pune në muaj”, sqaron DPT.

Nëse, nga verifikimi dhe kontrolli që do të ushtrohet nga Administrata Tatimore do të rezultojë se tatimpaguesi nuk ka deklaruar çdo të punësuar, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, atëherë ai do t’i nënshtrohen sanksioneve përkatëse të parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore”.

Nëse është tatimpagues i biznesit të madh, gjoba llogaritet në 200 mijë lekë dhe nëse është tatimpagues i biznesit të vogël, atëherë penaliteti është 50 mijë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje se në fokus të punës të punës së saj nuk është ndëshkimi dhe zbatimi i penaliteteve, por ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të zbatuar me korrektësi detyrimet që lindin nga zbatimi i legjislacionit në fuqi.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.