Opozita debate në komisionet parlamentare

TIRANË, 29 maj /ATSH- I. Vata/ – Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka nisur sot me debatet e opozitës në lidhje me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kundërshtinë e lirimit nga arresti i shtëpisë të ish-ministrit Saimir Tahirit nga Gjykata e Apelit një ditë më parë.

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se “më vjen keq të them se më 28 qershor, Shqipëria do e ketë vështirë për hapjen e negociatave, sepse shërbimet e vendeve anëtare janë duke raportuar se Shqipëria po kthehet në një vend problem për krimin dhe luftën ndaj korrupsionit”.

Sipas saj, shqiptarët po largohen nga vendi dhe shkaku është se krimi është i lidhur me qeverinë dhe shqiptarët nuk shohin të ardhme në vend dhe kërkojnë ta gjejnë jashtë.

Deputeti i PD, Edmond Spaho tha se “… ditën e shtunë u zhvillua një protestë ku në thelb kishte një kërkesë që ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen. Kërkesa për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është e panegociueshme”.

Më tej, Spaho shtoi se u lirua Saimir Tahiri, kurse katër të arrestuarit në Kukës janë në burg.

Ai tha se opozita është investuar për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE dhe madje edhe këto muaj po investohet në luftë kundër krimit.

“Ju, në vend që të shkoni më tej, lironi Saimir Tahirin. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për hapjen e negociatave dhe do jetë përgjegjësia juaj nëse negociatat dështojnë”, – tha Spaho.

Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe në përgjigje të akuzave tha se “… unë nuk e di kur jeni serioz: kur hidhni këngë dhe valle, apo kur flisni në këtë Komision. Së dyti, thatë se është e panegociueshme, nuk po negocion askush asgjë në këtë komision. Së treti, thatë që ajo që po bëjnë prokurorët dhe gjyqtarët është shumë e rëndë për këtë mazhorancë, më vjen keq nuk ka asnjë lloj lidhje me ne. Prokurorë janë ata që keni emëruar ju në kohën tuaj. Gjykatës, ata të tre, janë ata që ju keni emëruar në kohën tuaj dhe nuk kanë lidhje fare me ne”.

Akuzave të Spahos se “për lirimin Tahirit është ushtruar presion dhe janë ofruar para dhe e dyta, gjykata vendosi jo mbi prova dhe fakte, por mbi presione”, Braçe tha se “Prokurorja e Përgjithshme nuk ka më asnjë lloj ndikimi mbi çështjen konkrete. Zot i çështjes konkrete është prokurori Hajdarmataj, bashkë me gjithë kolegët atje, që edhe dje kanë kërkuar arrest me burg”.

“Mjafton të mos bëhem si Lulzim komiku. Si çdokush tjetër të bëhem, por si Lulzim komiku jo. Edhe një herë, prokurorët kanë kërkuar edhe dje arrest me burg për Saimir Tahirin. Nëse keni ndonjë problem me gjykatësit, ju lutem shumë drejtohuni KLD, e keni tuajin, e zotëroni nga i pari tek i fundit, ju lutem drejtojuni atij, ata i kanë emëruar dhe ata i mbajnë në detyrë”, – tha Braçe.

Deputetët e PD-së kërkojnë reflektim të qeverisë pas protestës

Komisioni i Ligjeve ka vazhduar sot mbledhjen me debate nga grupi parlamentar i PD-së, pasi ka kërkuar të reflektohet pas protestës, për të dhënë dorëheqje ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, si domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë.

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha se pas protestës prisnim një reflektim, nga ju si kryetar, por edhe nga disa të tjerë, që duhet të nxirrnin leksion nga protesta.

“Sot është një thirrje e madhe për politikën, shqiptarët u ngritën dhe folën në atë protestë. Shqiptarët treguan se ende kanë vlera morale, nuk janë dakord me krimin dhe me drogën. Këto leksione duhet të lexoni”, – tha ai.

“Drejtësia është kapur, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, Prokuroria është kapur nga politika. Ne si opozitë kemi detyrimin për të qenë të sinkronizuar me qytetarët. Qëndrimi ynë është se ne si opozitë do të bëjmë maksimumin duke denoncuar fort krimin, sepse është mënyra e vetme që europianët të mësojnë të vërtetën. Deri me 28 qershor numërimi mbrapsht fillon tani. Por çfarë i mungon sot qeverisë, që ministrin e Brendshëm ta largojë nga detyra që të mos jetë pengesë e integrimit të vendit”, – tha ai.

Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja tha se “numërimi ka filluar mbarë se me 28 ne presim një vendim pozitiv nga Këshilli Europian. Do Zoti, për shqiptarët ecën mbarë dhe jo mbrapsht, si thotë opozita”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.